KONKURSI NDERKOMBËTAR "KANGUR"
KANGAROO ALBANIA
INFORMACIONE DHE UDHËZIME TË PËRGJITHSHME
DATA E KONKURSIT
Në vitin 2026 konkursi do të zhvillohet në auditor dhe online. Data e zhvillimit do të jetë 18 Prill 2026, ora 10:00. Kohëzgjatja e konkursit është 90 minuta.
QËNDRAT E KONKURSIT
Çdo shkollë që dëshiron, mund të bëhet "Qendër Konkursi" duke plotësuar një formular "Formular Aplikimi". Për shkollat që kanë qenë "Qendra Konkursi", kërkohet një konfirmim angazhimi duke vlejtur formulari i mëparshëm.
Të dhënat e kërkuara në "Formular" duhet të plotësohen saktë sepse në adresën e deklaruar do të dërgohen Testet, "Fletët e përgjigjeve", për përdorimin nga nxënësit, e më pas çertifikatat e tyre. Pyetjet e testimit do të dërgohen në formë të mbyllur dhe në numër të mjaftueshëm përgjegjësit të konkursit nga koordinatorët rajonalë.
Është e rëndësishme që përgjegjësi i konkursit të ketë adresë elektronike aktive (e-mail) dhe ta kontrollojë rregullisht, sepse përmes saj do të jetë i informuar për rrjedhën e konkursit.
Një qendër konkursi deklaron nëse do të pranojë nxënës të shkollave të tjera (tek të cilat nuk do të kryhet konkursi) si dhe mënyrën se si do të kontaktojnë këta nxënës me qendrën e konkursit. Ky informacion do të postohet në faqen zyrtare të konkursit. Gjithashtu një qendër konkursi mund të parashtrojë kushte të veçanta për sa i përket nxënësve të jashtëm (p.sh. nëse qendra dëshiron të aplikojë një numër të kufizuar nxënësish të jashtëm ose kërkon regjistrimin e tyre para një date të caktuar). Sqarojmë se regjistrimi në konkurs bëhet direkt në qendrat e konkursit.
REGJISTRIMI NE KONKURS
Regjistrimet fillojnë në 20 shkurt. Një nxënës konsiderohet i regjistruar vetëm kur ka paguar tarifën e regjistrimit, që është 1000 lekë (njëmijë lekë) dhe e ka dorëzuar atë pranë një qendre konkursi.
Përgjegjësit duhet të marrin një konfirmim nga prindi për përdorimin nga ana jonë e të dhënave të fëmijës kur ai është nën moshën 16 vjec. Nga ana tjetër nëpërmjet fletës së regjistrimit ne i konfirmojmë cdo prindi se nuk do t’i përdorim kurrë këto të dhëna për asnjë qëllim tjetër përvec atij të regjistrimit të fëmijës dhe dërgimit të testit dhe rezultatit në konkursin “Kangur” të Matematikës.
Ata nxënës që duan të regjistrohen pa patur ndërmjet një mësues përgjegjës (psh nga shkollat publike) do ta zhvillojnë konkursin në Qendrën FSHN (Fakulteti i Shkencave të Natyrës). Për ta do të përgatitet një “google form” me disa opsione, Emër, Atësi, Mbiemër, klasa, email, cel, ngarkimi i fletë pagesës (të kryer në bankë dhe data e pagesës). Ata regjistrohen në këtë link vetëm pasi të kenë bërë pagesën.
Sugjerohet që përgjegjësi i konkursit të inkurajojë nxënësit për tu regjistruar herët.
NXËNËS TË REGJISTRUAR QË NUK MARRIN PJESË NË KONKURS
Nxënësit që do të regjistrohen, por që nuk kanë marrë pjesë në konkurs për arsye të ndryshme, nuk marrin çertifikatë pjesëmarrjeje.
DETYRAT E PËRGJEGJËSIT TË KONKURSIT
- Informon nxënësit në lidhje me konkursin, si dhe u jep përgjigje pyetjeve që mund të kenë nxënësit. Informacioni për konkursin është i disponueshëm në faqen zyrtare www.kangaroo.al.
- Regjistron nxënësit në konkurs, mbledh shumën prej 1000 lekë të pjesëmarrjes në konkurs dhe i depoziton ato në bankë në numrin e llogarisë së konkursit ose kërkon faturën e pagesës nga nxënësi në numrin e llogarisë së konkursit.
- Rreth një javë para se të zhvillohet konkursi, dërgon të plotësuar në 'Kangur' listën e nxënësve të regjistruar deri në atë moment. Për këta nxënës do të dërgohen testet e përgatitura, fletët e përgjigjeve, etj.
- Koordinon konkursin (gjetjen e ambienteve, organizimin e vëzhgimeve, shpërndarjen e fletëve të testit dhe "fletët e përgjigjeve", informon nxënësit në lidhje me mënyrën e testimit, dorëzon materialet e nevojshme, etj). Para zhvillimit të konkursit siguron që të lexohet nga mbikëqyrësit dokumenti me informacionin e nxënësve para konkursit.
- Menjëherë pas konkursit:
a) Paketon "fletët e përgjigjeve" të garuesve (në mënyrë që të dallohen nivelet e ndryshme)
b) Bën skanimet e fletëve të përgjigjeve
c) I dërgon të mbyllura në adresën e mëposhtme ose i dorëzon tek koordinatorët rajonalë. - Koordinatorët rajonal i dërgojnë ato në adresën:
-
Prof. Asoc. Dr. Elisabeta Peti (Koçi)
Departamenti i Matematikës
Fakulteti i Shkencave të Natyrës
Universiteti i Tiranës
Bulevardi Zogu i Parë
-
Përgjegjësi i konkursit dhe Bordi Kangur rregullojnë bashkëpunimin e tyre duke nënshkruar një marrëveshje tip të dakortësuar paraprakisht.
-
- Pagesa e regjistrimit të çdo pjesëmarrësi kryhet në përputhje me kushtet e marrëveshjes dhe në Numrin e Llogarisë së “Kangaroo Albania” si më poshtë
-
OTP Bank (ish SOCIETE GENERALE ALBANIA)
NUMRI I LLOGARISE (IBAN-i)
ALL - AL93 2131 1037 0000 0000 0173 8916
- Kujdes: Përshkrimi i arsyes së pagesë duhet të jetë: Shoqata Shqiptare e Matematikës dhe jo Konkursi Kangur 2026.
-
- Kur merr rezultatet e konkursit përgjegjësi informon nxënësit e shkollës së tij për rezultatet, personalisht. Njëkohësisht përgjegjësi i konkursit informon pjesëmarrësit për shpërndarjen e çertifikatave që meritojnë. Rezultatet e konkursit jepen në mënyrë individuale për çdo pjesëmarrës.
FORMA E TESTIT
Ky test konsiston në gjashtë nivele të ndryshme testimi, në varësi të klasës së çdo pjesëmarrësi. Këto janë si më poshtë:
Niveli 1: nxënës të klasës së parë dhe të dytë fillore,
Niveli 2: nxënës të klasës së tretë dhe të katërt fillore,
Niveli 3: nxënës të klasës së 5-të dhe të 6-të
Niveli 4: nxënës të klasës së 7-të dhe 8-të,
Niveli 5: nxënës të klasës së 9-të dhe 10-të.
Niveli 6: nxënës të klasës së 11-të dhe 12-të.
Për nxënësit e klasës së 1 dhe 2 fillore ka 24 pyetje, si edhe për ata të klasës së 3 dhe 4 fillore ka 24 pyetje, ndërsa për klasat e tjera 30 pyetje. Nuk është e nevojshme për një pjesëmarrës t'iu përgjigjet të gjitha pyetjeve. “Kangur” nuk është provim dhe nuk ka vlerësim për kufirin kualifikues. “Kangur” është një konkurs dhe si i tillë sa më shumë përgjigje të sakta të japë pjesëmarrësi, aq më e madhe është mundësia që të marrë çmim. (Për tu shpallur fitues duhen jo më pak se 50 përqind e pikëve maksimale.)
Pyetjet në përgjithësi janë të përgatitura në mënyrë të tillë që dhjetë të parat (tetë në rastin e nivelit 1 dhe nivelit 2) janë shumë të lehta, dhjetë të tjerat (tetë në rastin e nivelit 1 dhe nivelit 2) janë të lehta, dhe dhjetë të fundit (tetë në rastin e nivelit 1 dhe nivelit 2), janë disi më të vështira, por kjo nuk do të thotë se janë shumë të vështira.
Pyetjet janë me alternativa të shumëfishta. Ka pesë përgjigje për çdo pyetje, prej të cilave vetëm një është e saktë.
VLERËSIMI I PIKËVE TË TESTIT
- Çdo pyetje e përgjigjur saktë ka vlerë 3, 4 ose 5 pikë,
- Çdo pyetje e përgjigjur gabim ka vlerë 0 pikë,
- Çdo pyetje pa përgjigje ka vlerë 0 pikë,
- Maksimumi i pikëve të marra është 96 pikë (nivelet 1 dhe 2) ose 120 pikë (nivelet 3, 4, 5 dhe 6),
- Minimumi i pikëve të marra është 0 pikë.
SHPALLJA E FITUESIT TË KONKURSIT
Pas shpalljes përfundimtare të rezultateve, fitues i konkursit do të jetë ai që ka fituar jo më pak se gjysmën (50 %) të pikëve të nivelit ku ka konkuruar. Më konkretisht:
- Për nivelet 1 dhe 2 duhet të ketë marrë jo më pak se 48 pikë (50 % të 96 pikëve).
- Për nivelet 3, 4, 5 dhe 6 duhet të ketë marrë jo më pak se 60 pikë (50 % të 120 pikëve).
DETAJET E KONTAKTIT
Email: [email protected]
Adresa: KANGUR ALBANIA
- Fakulteti i Shkencave të Natyrës
- Universiteti i Tiranës
- Bulevardi Zogu i Parë